Secondary Adv

Projekti për Shtëpinë e fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve, Rama: Hapim rrugë nismave të reja

Kryeministri thekson rolin e partneritetit publik-privat në krijimin e hapësirave të reja publike.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në konkursin ndërkombëtar për prezantimin e projekt-ideve për Shtëpinë e re të fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore, vuri theksin te rëndësia e procesit të partneritetit publik-privat në realizimin e projekteve të reja për funksione publike dhe në krijimin e hapësirave bashkëkohore për shërbimet shtetërore.

 

Rama u shpreh se Shqipëria po zhvillon aktualisht një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore dhe arkitekturore, duke përmendur stadiumin e ri me standarde europiane, Bibliotekën e re Kombëtare, kompleksin e ri të zyrave për administratën publike dhe Pallatin e ri të Sportit.

 

Projektet madhore në zhvillim

“Falë këtij procesi do të kemi më në fund, pas vitesh, një stadium të ri të përmasave europiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh, Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i shumë nevojshëm prej vitesh dhe një tjetër vepër të spikatur jo vetëm për vendin tonë, por edhe për historinë e arkitekturës bashkëkohore. Do të kemi gjithashtu një kompleks të ri zyrash për administratën, për një numër të konsiderueshëm institucionesh, si dhe Pallatin e ri të Sportit, një vepër mbresëlënëse që që në fazën e projektit mori mbështetjen konsensuale të jurisë ndërkombëtare”, u shpreh Kryeministri.

 

Ai shtoi se këto projekte përbëjnë një sërë veprash me interes të madh publik dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në transformimin urban dhe institucional të vendit.

 

Shtëpia e fëmijëve dhe Inspektoratet Shtetërore

Sipas Ramës, projekti për Shtëpinë e re të fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve hap dy drejtime të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë nën kujdesin e solidaritetit shoqëror, përfshirë jetimët, si dhe për funksionimin e një korpusi të ri modern për inspektoratet shtetërore.

 

“Me këtë projekt i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë dhe njëkohësisht për korpusin e ri të inspektorateve. Me këtë rast dua të falënderoj kryeinspektorin që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që u krijua nga e para dhe që sot është gati të bëjë një hop tjetër”, tha Kryeministri Rama.

Burimi: Euronews.al


Më të lexuarat